Muhammedi alejhi selam ka thënë: “O njerëz! Allahu ka urdhëruar haxhin për ju, kështu që ju duhet ta kryeni atë.“
Haxhi është farz për çdo musliman dhe muslimane që ka mundësi ta bëjë, bazuar në thënien e Allahut të Madhëruar: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë), e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo. E kush nuk e beson (ai nuk e viziton) dhe Allahu nuk ka nevojë (për ibadetin që bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran: 96-97).Gjithashtu, I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, ka thënë: “ Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia që s’ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e Zekatit, haxhi në Qabe dhe agjërimi i Ramazanit.” Përzgjedhur nga Buhariu dhe Muslimi.
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se haxhi u urdhërua në vitin e gjashtë pas Hixhrit, (migrimit të Profetit alejhi selam) sepse atëherë u shpall ajeti i mëposhtëm në lidhje me të: “E kryeni haxhin e umrën për hir të Allahut…” (El Bekare: 196).
Juristët islamë pajtohen me atë se haxhi bëhet i detyrueshëm për personin i cili:
- është musliman (pasi jomuslimani nuk është i obliguar për haxh dhe për asnjë lloj tjetër ibadeti pasi kusht për pranimin e punëve është besimi)
- i moshës madhore, sepse i mituri nuk ka përgjegjësi për veprat e veta derisa ta arrijë pjekurinë bazuar në thënien e Profetit (alejhi selam): “Është hequr përgjegjësia nga tre vetë: nga i sëmuri mendor, derisa të shërohet; nga ai që fle, derisa të zgjohet dhe nga i mituri, derisa ta arrijë pjekurinë”.
- të jetë në gjendje të shëndoshë mendore, pasi për të sëmurët mendorë nuk ka përgjegjësi.
- të jetë i lirë e jo skllav,
- të ketë fuqinë e duhur dhe fondet e nevojshme në dispozicion.
Pra, personi i cili nuk plotëson një nga këto kushte nuk e ka obligim haxhin. Allahu i Lartësuar në suren Ali Imran, ajeti 97 thotë: “ … Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo.”
Haxhi është obligim një herë në jetë, bazuar në thëniet e Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të:
1. “Haxhi është obligim vetëm një herë, kush bën më tepër është vullnetar.” Përzgjedhur nga Ebu Daudi, Ahmedi dhe Hakimi, i cili e konsideroi atë të vërtetë.
2. Ebu Hurejra transmeton se në një predikim Profeti (alejhi selam) ka thënë: “O njerëz! Allahu ka urdhëruar haxhin për ju, kështu që ju duhet ta kryeni atë”. Një burrë pyeti: “Çdo vit o Profet i Allahut? Profeti (alejhi selam) heshti. Kur pyetja u përsërit për herë të tretë, Profeti ( alejhi selam) tha: “Po të kisha thënë “po”, do të ishte bërë një detyrim i përvitshëm dhe kjo do të ishte përtej fuqisë suaj”. Më pas ai shtoi: “Më lini të qetë për sa kohë dhe unë ju lë të qetë (d.m.th. mos më bezdisni me pyetje rreth gjërave që unë i lë në heshtje dhe nuk i përmend). Disa popuj që kanë jetuar para jush u shkatërruan sepse ata bënin jashtëzakonisht shumë pyetje dhe nuk pajtoheshin me profetët e tyre. Kështu që, kur unë ju urdhëroj që të bëni diçka, duhet të bindeni dhe ta bëni atë me gjithë fuqinë tuaj. Nëse unë u ndaloj diçka, atëherë shmanguni prej saj”.
Transmeton Buhariu dhe Muslimi.